15:02 / E Hënë, 15 Mars 2021 / Blerim

Ardian Hamiti: Kuvendin e Notit e kanë prishë Fazliu dhe Shatri, i takojnë një grupi shantazhues

Anëtari i Bordit të Federatës së Notit, Ardian Hamiti ka akuzuar Afërdita Fazliu dhe ish-basketbollistin e njohur, Fikret Shatrin se kanë prishur Kuvendin zgjedhor të Notit që u zhvillua më 13 mars (të shtunën) por që nuk përfundoi me zgjedhjen e kryetarit të ri. Hamiti në një prononcim për Insportin ka deklaruar se Fazilu dhe Shatrin në Kuvendin e së shtunës ishin me vetëm një qëllim të caktuar, për të prishur dhe mbështetur disa klube fantome që nuk janë të regjistruara fare në Federatë.

Sipas Hamitit, Afërdita Fazilu nuk është dashur fare të jetë prezente aty, e aq më pak të merr rolin e udhëheqëses së Kuvendit.

“Kuvendin e së shtunës e kanë prishur zyrtarët e Departamentit të Sportit të Ministrisë së Sportit dhe Kulturës së Kosovës duke u përzier, Afërdita Fazliu dhe Fikret Shatri. Ata na kanë sugjeruar që t’i pranojmë disa klube të cilat nuk janë të regjistruara, janë fantome. Kanë sjell delegatë që kanë ardhur vetëm me prishë Kuvendin dhe nuk janë të regjistruar askund. Këta i ka mbrojtur Afërdita Fazliu”, ka deklaruar Hamiti për Insportin.

Në vazhdim të bisedës Hamiti me Gazetën Online “Insporti” ka deklaruar se këta dy zyrtarë (Afërdita Fazliu dhe Fikret Shatri) kanë interesa të caktuar që një kandidat i caktuar të bëhet të bëhet kryetar i ri i Federatës së Notit.

“Zyrtari i Sportit është i dërguar nga politika, ai përfaqëson politikën e departamentit të sportit. Në këtë rast ka qenë Fikret Shatri, ka shkuar me lyp vota, është zyrtari i departamentit të sportit. Afërdita Fazliu merr rolin e udhëheqëses së Kuvendit, ajo është vetëm monitoruese, aq më shumë ajo nuk është e deleguar sepse ne kemi një zyrtar të caktuar që është i thirrur për ta monitoruar Federatën e Notit, aty në Kuvend na vinë Afërdita Fazliu dhe Fikret Shatrit. Në Kuvendin e së shtunës, janë edhe pamjet ku Afërdita na jep sugjerime, Afërdita nuk është interpretuese e ligjit duhet me kuptuar këtë gjë, ajo është vetëm me monitoruar e që nuk ka pas asnjë lloj shkelje, nëse ne bëjmë shkelje, Afërdita duhet me i vëzhguar ato shkelje dhe t’i raportojë, por jo me ardh me udhëheqë Kuvendin për arsye se ka interesa me rrëzuar një kandidat të caktuar brenda Komitetit Olimpik të Kosovës. Afërdita nuk ka të drejtë me qenë fare aty në Kuvend. Ne kemi një zyrtar të caktuar për këtë punë, pse nuk vjen ai”.

Tutje, anëtari i bordit të Federatës së Notit, Hamiti ka thënë se këta dy persona i takojnë një grupi shantazhues që kanë interesa të caktuar në këto zgjedhje të Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Përveç që vjen Afërdita, vinë dy, e merr edhe Fikretit, njeri i cili është përzier direkt në zgjedhjet e Federatës. Këta i takojnë një grupi që janë duke i shantazhuar njerëzit. Fikret Shatri si zyrtar i Departamentit të Sportit, shkon lyp vota për një kandidat të caktuar”.

Në fund të bisedës, ai fton Prokurorinë e Kosovës që të merret me këto punë, pasi sipas disa fakteve që ai posedon dhe kolegët e tij, janë për t’u hetuar.

Po ashtu, Hamiti deklaroi se ende nuk ka vendosur së për kë do të votojë më 25 mars.

“Jam anëtar i bordit, nuk kam asnjë mendim ende për kë do të votojë, unë votoj në bazë të programit, por jo me këtë që po kërkojnë. Në të ardhmen e afërt, koleget e mi kanë shumë fakte të cilat duhet t’i publikojnë, nuk jam jurist, por më atë që posedojnë janë sene për prokurorinë sepse janë sene se qysh mundohen t’i joshin njerëzit”, përfundoi Hamiti bisedën me Insportin.

Ardian Hamiti të premten më 12 mars publikoi në rrjetin e social Facebook, një bisedë me kryetarin e ri të Federatës së Automobilizmit të Kosovës, Nehat Çitaku.

Në atë bisedë, shihet se si Çitaku tenton të ndikojë në votën e Hamitit për Kuvendin e Notit.

Insporti ka raportuar për këtë skandal të prodhuar nga Çitaku, i cili mbështet kandidaturën e Ismet Krasniqit për president të KOK-ut.

Federata e Notit të shtunën ishte paraparë të zgjidhte bordin dhe kryetarin e ri, por që për shkak të këtyre problemeve është shtyrë për një datë tjetër, e cila ende nuk është caktuar.

Kryetar aktual i Federatës së Notit është Imer Rama. Ndërsa, kandidat për kryetar janë Trim Zeqiri dhe Astrit Haliti.

Të shtunën, në atë Kuvend kishte debat të ashpër ndërmjet Hamitit dhe Afërdita Fazliut.

Prezent në Kuvend ishte edhe presidenti aktual i KOK-ut, Besim Hasani.

Asambleja zgjedhor e Komitetit Olimpik të Kosovës do të mbahet në fund të këtij muajit, më 25 mars.

Për të parin e KOK-ut në garë janë Besim Hasani, Ismet Krasniqi dhe Linda Shala.

Insporti ka kontaktuar me zyrtarin e Departamentit të Sportit, Fikret Shatri dhe Afërdita Fazliut. Interivstat me Shatrin dhe Fazliun do të publikohen gjatë ditës.