14:30 / E Enjte, 05 Tetor 2017 / indeksADMonline

Argjentina rrezikon të mbetet jashtë Botërorit 2018

Peruja dhe Ekuadori janë skuadrat që do të vendosin për fatin e Argjentinës në kualifikueset e Botërorit të vitit 2018, për zonën e Amerikës Latine.

Skuadra nënkampione e botës nuk është në momentin më të mirë, pasi ndodhet në vendin e pestë në klasifikimin e këtij grupi, e rreziku që të mos kualifikohet për në fazën finale të Kupës së Botës është i madh, transmeton “Top Channel” .

Nëse kjo do të ndodhë, për Argjentinën do të jetë hera e parë që nga viti 1970, që do të mbetet jashtë kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik.

Bardhekaltrit do të përballen ditën e enjte me Perunë, me të cilën ka një kuotë të barabartë pikësh, 24, por Argjentina ka një golavarazh më të dobët sesa kjo kombëtare. Ndaj, për të besuarit e Sampaolit fitorja në këtë sfidë është një detyrim.

Ndeshja me Ekuadorin do të jetë ajo që do të përmbyllë këtë fazë kualifikuese për Argjentinën, që nuk ka bërë paraqitjet më të mira gjatë kësaj fundjave.

Në grupin e Amerikës Latine të kualifikueseve të Botërorit 2018, 4 skuadrat e para kualifikohen drejtpërdrejt për në fazën finale të aktivitetit, ndërsa skuadra e vendit të pestë do të luajë ndeshje “play off”-i me Zelandën e Re.

Deri në këtë moment, 7 skuadra i janë bashkuar Rusisë në fazën finale të Botërorit, e këto janë Brazili, Belgjika, Meksika, Irani, Arabia Saudite, Koreja e Jugut dhe Japonia.