75 Mall Live Search
18:25 / E Shtunë, 17 Dhjetor 2022 / C E

Argjentinasit “të çmendur” për bileta, protestojnë tek zyrtarët e federatës

Në Argjentinë kanë vetëm një problem, si të sigurojnë një biletë për në finalen e madhe të së dielës ndaj Francës. Tifozët amerikano-latin duan me patjetër që të jenë prezent në ndeshjen ndaj Francës, megjithatë biletat e ofruara nuk i plotësojnë kërkesat e tyre. Sipas mediave argjentinase, tifozët kanë zbarkuar pranë zyrave të federatës argjentinase duke kërkuar që të sigurojë dhe pjesën e e mbetur të biletave të anuluara nga tifozët e skuadrave që nuk shkuan në finale.

Argjentina pritet që të ketë mbështetjen më të madhe të tifozëve në stadiumin Lusail që ka një kapacitet prej 88 mijë e 966 vendesh. “Albicelestët” kanë siguruar numrin më të lartë të biletave, por për ta nuk ka mjaftuar. Gjasat janë që një pjesë e tifozëve të Argjentinës që kanë udhëtuar drejt Dohas të detyrohen ta ndjekin ndeshjen në “fan zone”, pasi duket tepër e vështirë që të shohin ndeshjen nga shkallët e stadiumit.

Kjo është hera e gjashtë që Argjentina arrin në një finale e do të kërkojë trofeun e tretë, ndërsa Franca në anën tjetër ndonëse ka marrë të njëjtin numër trofesh, ka shkuar vetëm 3 herë në finale, e për ta është e katërta herë në histori duke kërkuar suksesin e tretë, si dhe të dytin radhazi.