Arianit Ahmeti i kundërpërgjigjet dënimit të FFK-së, ka një pyetje për Agim Ademin dhe Eroll Salihun
Komisioni disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka vendosur ta suspendojë nga organizata e futbollit ish-zëvendëssekretarin FFK-së, Arianit Ahmeti. Në arsyetimin e FFK-së, thuhet se ai ka bërë disa shkelje.
“Komisioni disiplinor ka konstatuar se i sipëpermenduri ka shkelur nenin 106 të Rregullores Disiplinore, ku ka anuluar vendimin e Komisionit disiplinor të datës 05.11.2019 , duke cenuar nenin 41, paragrafi 2, pika a të statutit të FFK-së. Po ashtu ai ka shkelur rëndë nenin 13 të kodit të etikës, duke u deklaruar për media pa autorizim nga ana e udhëheqësve të futbollit. Po ashtu ai ka shkelur nenin 5 dhe 6 të kodeksit ku parashihet se të gjithë anëtarët e organizatës së futbollit duhet të veprojnë në përputhshmëri të këtyre neneve”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Këtë vendim në një bisedë për Zëri.info e ka kontestuar Arianit Ahmeti duke e cilësuar si një përpjekje të fundit të FFK-së për t’i penguar njerëzit që dëshirojnë t’i ndryshojnë gjërat brenda këtij institucioni.
“Komisioni disiplinor për herë të parë në histori të ndonjë institucioni, punëtorin të cilin ia ka ndërpre punën me 5 dhjetor, me 17 dhjetor e kanë suspenduar nga aty, thuhet nga organizata e futbollit në bazë të nenit 63, pika 4. Ky nen thotë se punëtori sportiv, që është në kundërshtim me ata, lehtë mundesh me ju referuar nenit 4 të Ligjit të punës, e jo këtij komisioni sportiv”, ka thënë Ahmeti duke shtuar.
“Kjo është përpjekja e fundit aty brenda për të na penguar dhe në mënyrë qesharake të dënojnë njerëz. Ju sugjeroj që kush të ketë ambicie mund të jenë të dënuarit e radhës. Kjo është shumë qesharake dhe është komision jo kompetent”, shtoi Ahmeti i cili këmbëngulë se në FFK do të vendoset rregulli juridik.
“Nënshkrimet janë bërë, dhe po presim edhe pak. Arianiti pyet Erollin dhe Agimin se ku kanë qenë të premten dhe të hënën, për çka kanë qenë në Zvicër dhe cila ka qene arsyeja e vizitës?!”, ka përfunduar Arianit Ahmeti.