Arianit Islami emërohet ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

Arianit Islami është emëruar Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të AAC-së.
Në njoftim tutje thuhet se Islami deri tani ishte drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, pozitë të cilën e ka mbajtur që nga viti 2005.
Ai ka përvojë mbi 20 vjeçare në aviacion, të përcjellë me përgatitje të shquar akademike.
Islami është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Aviacionit Civil të Francës (ENAC) në degën e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit të bazuar në satelit.
Në vitin 2023, ka doktoruar në Laboratorin e ENAC dhe Universitetin Paul Sabatier në Tulluz, Francë në lëminë e menaxhimit të trafikut ajror.