75 Mall Live Search
09:05 / E Hënë, 04 Gusht 2025 / FR

Arianit Koci: Rritja ekonomike në Kosovë është iluzion, qytetarët s’po e ndjejnë

Avokati i njohur, Arianit Koci, ka publikuar sot një analizë në Facebook, ku kritikon mënyrën se si paraqitet rritja ekonomike në Kosovë.

Në postimin e tij të titulluar “Manuali i mbijetesës në Kosovë – Pjesa I”, Koci thotë se rritja ekonomike që raportohet çdo vit nuk përkthehet në përmirësim të jetesës së qytetarëve.

Ai e quan këtë një rritje në letra, jo në jetë reale.

Sipas tij, motori kryesor i ekonomisë është konsumi privat, i financuar kryesisht nga remitencat dhe kreditë konsumatore, dhe jo nga prodhimi apo eksportet. Vetëm në vitin 2024, kreditë për konsum u rritën për 22%.

Koci thekson se PBB-ja për frymë në Kosovë është vetëm 6,494 euro, që përfaqëson vetëm 16% të mesatares së BE-së. “Jetojmë 5.5 herë më dobët se një qytetar i zakonshëm i BE-së”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

Ekonomia: Manuali i mbijetesës në Kosovë – Pjesa I

Rritja ekonomike dhe pse shifrat shpesh mashtrojnë

Çdo shoqëri moderne ka një tregues magjik për të matur “shëndetin” e saj: rritjen ekonomike.

Kur numrat rriten, politikanët flasin për sukses, mediat japin lajme pozitive dhe njerëzit krijojnë përshtypjen se vendi po ecën përpara.

As Kosova nuk bën përjashtim.

Prej vitit 2010 deri më 2019, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) – treguesi kryesor i rritjes ekonomike – është rritur mesatarisht 4.5% në vit.

PBB-ja është vlera e të gjitha mallrave dhe shërbimeve që prodhohen brenda vendit në një vit. Kur kjo rritet, do të thotë se po prodhojmë më shumë – por jo domosdoshmërisht se po jetojmë më mirë.

Në vitin 2020, pandemia e rrëzoi këtë ritëm me -5.3%. Kufijtë u mbyllën, tregtia u tkurr, turizmi u zhduk dhe investimet u shuan.

Viti 2021 solli rikthim të fortë në shifra – por vetëm sepse po matnim mbi vitin më të dobët të dekadës. Ishte rritje statistikore, jo rritje reale të mirëqenies.

Nga 2022 deri në 2024, u kthyem në “normalitetin” e mëparshëm – rreth 4.2% në vit – ndërsa problemet e vjetra mbetën: produktivitet i ulët, mungesë e eksporteve konkurruese dhe një hendek i madh mes shkathtësive që ofron tregu i punës dhe atyre që kërkon ekonomia.

Motori i rritjes? Kryesisht konsumi privat. Vetëm në 2024, ai kontribuoi 4.4 pikë përqindje në rritjen e PBB-së.

Investimet? Vetëm 1.6 pikë përqindje. Në 2022, ndikimi i tyre ishte madje negativ.

Eksportet neto pothuaj çdo vit kanë qenë negative – dëshmi se jemi të varur nga importet edhe për nevojat bazike.

Si financohet ky konsum? Me dy burime: kredi konsumatore dhe remitenca. Vetëm në 2024, kreditë konsumatore u rritën për 22%.

Remitencat janë oksigjeni i ekonomisë – mesatarisht 2.5 herë më të mëdha se investimet e huaja direkte dhe pothuaj dyfish të të hyrave nga eksportet.

PBB-ja për frymë! Në 2024, PBB-ja për frymë në Kosovë ishte 6,494€.

Në krahasim me BE27 (mesatarja 39,680€), ne jemi vetëm në 16% të standardit të tyre. Me fjalë tjera – jetojmë 84% (apo rreth 5.5 herë) më dobët se një qytetar mesatar i BE-së.

Edhe në rajonin tonë jemi prapa – vetëm 70% e mesatares së Ballkanit Perëndimor.

Përfundimi: Ekonomia e Kosovës po rritet në shifra, por jo në jetë reale. Konsumi mbahet nga diaspora dhe kreditë – jo nga prodhimi dhe eksportet.

Nëse vazhdojmë kështu, do të kemi gjithmonë numra për t’u mburrur – dhe qytetarë që mezi i lidhin muajt./IndeksOnline/