Arijeta Qafleshi-Skeraj, zgjidhet kryesuese e re e Kuvendit Komunal në Dragash!

Kuvendi Komunal në Dragash mbajti mbledhjen X (e dhjetë) të rregullt dhe të fundit për vitin 2023, me këto pika të propozuara të rendit të ditës:
1. Miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e kaluara ( procesverbali i seancës IX të rregullt dhe procesverbalet e tri seancave të jashtëzakonshme);
2. Vendim për shpalljen e Listës së Përgjithshme dhe Listës së Veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës për vitin 2024;
3. Miratimi i Planit të Punës të Ekipit për të Drejtat e Fëmijës 2024-2026;
4. Rishqyrtimi i Vendimit për korrigjim në listat kadastrale 01Nr.060/01-8154-2/23 i datës 27.04.2023;
5. Miratimi i Planit të Punës të KKSB-së për vitin 2024;
6. Kërkesa për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës e z.Samir Krasniqi 01Nr.462/01- 31857;
7. Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Komunës; dhe
8. Eventuale.
Në fillim të seancës, Kuvendi me shumicë votash aprovoi propozimin e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, që pika e gjashtë të hiqet nga rendi i ditës, për t’u shqyrtuar në një seancë të radhës, si dhe propozimin e asambleistes nga radhët e PDK-së, znj.Suada Bajrami, që në pikën eventuale të diskutohet tema “Të drejtat e grave dhe barazia gjinore”.
Pas diskutimeve dhe shqyrtimit të materialit, me shumicë votash nga delegatët e Kuvendit u miratuan edhe Lista e Përgjithshme dhe e Veçantë e pronave të paluajtshme të Komunës për vitin 2024, si dhe planet e punës të Ekipit për të Drejtat e Fëmijës dhe KKSB-së.
Ndërkaq, në pikën e shtatë të rendit të ditës, në zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit përmes votave të fshehta morën pjesë gjithsej 23 asambleistë. Me 19 vota për dhe 4 kundër, kryesuese e Kuvendit të Komunës në Dragash u zgjodh znj.Arijeta Qafleshi Skeraj nga radhët e LDK-së.
Në pikën eventuale delegatët e Kuvendit patën rastin që të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, si dhe të shtrojnë pyetje lidhur me ecurinë e punës së ekzekutivit lokal, të cilave iu përgjigj kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini.