Ariu sulmon një grup shkollor në Kanada, 11 të plagosur – dy në gjendje kritike
Një ari i murrmë është identifikuar në gjendje të lirë dhe me rrezikshmëri të lartë në Kanada, pas sulmit ndaj një grupi shkollor, ku 11 persona u plagosën, dy prej të cilëve në gjendje kritike.
Incidenti ndodhi të enjten pasdite në një shteg këmbësorësh në qytetin Bella Coola, në provincën British Columbia. Banorët janë paralajmëruar të qëndrojnë brenda, ndërsa oficerët e armatosur po përpiqen ta gjurmojnë kafshën.
Një mësues mashkull “mori të gjithë barrën” dhe disa fëmijë u goditën me sprej kundër arinjve, ndërsa të rriturit përpoqën ta largonin kafshën, tha Veronica Schooner, një prind, për Canadian Press.
Schooner shtoi se djali i saj 10-vjeçar ishte pjesë e grupit të shkollës, megjithëse nuk u sulmua. “Ai tha se ariu vrapoi aq afër tij, por po shkonte pas dikujt tjetër,” tha ajo, duke shtuar se “ai madje ia preku qimet”.
Shërbimet Shëndetësore të Emergjencës së British Columbia raportuan se dy persona u plagosën rëndë, dy të tjerë disi më lehtë, ndërsa shtatë të tjerë u trajtuan në vendngjarje. Grupi ishte nga Shkolla Acwsalcta, e cila drejtohet nga Kombi indigjen Nuxalk, në qytetin që ndodhet 700 km në veriperëndim të Vancouver-it.
“Oficerët janë të armatosur. Qëndroni brenda dhe larg autostradës,” shkroi Kombi në Facebook.
“Është e vështirë të dish çfarë të thuash gjatë kësaj kohe shumë të vështirë. Jemi shumë mirënjohës për ekipin dhe nxënësit tanë,” shtuan zyrtarët.
Për shkak të incidentit, shkolla është mbyllur përkohësisht dhe po ofron shërbime këshillimi për nxënësit.

