75 Mall Live Search
09:49 / E Mërkurë, 03 Shtator 2025 / KV

Armë dhe mesazhe provokuese – çfarë zbuluan dy bastisjet e Policisë në veri të Kosovës?

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të martën dy operacione të ndara në pjesën veriore të vendit, ku janë zbuluar armë të fshehura dhe materiale me simbole nacionaliste serbe.

Operacioni i parë është zhvilluar në fshatin Junake të komunës së Zveçanit, ku rreth orës 15:00 Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë Kufitare ka kontrolluar një zonë pyjore, pas informacioneve të pranuara për aktivitete të dyshimta.

Gjatë bastisjes në terren, policia ka zbuluar tri armë të gjata – përkatësisht një pushkë gjysmë automatike dhe dy pushkë gjuetie – të cilat ishin fshehur brenda një gypi metalik dhe të mbuluara me kujdes në pyll. Përveç armëve, janë sekuestruar edhe sasi të caktuara të municionit. Në vendin e ngjarjes janë përfshirë edhe njësitet për trajtimin e mjeteve të rrezikshme shpërthyese dhe hetuesit rajonalë.

Ndërkohë, një tjetër aksion u zhvillua në një lokal në Leposaviq, ku Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën dhe Njësinë e Hetimeve Rajonale kreu një bastisje të planifikuar. Gjatë kontrollit, janë gjetur bluza, pajisje elektroshoku dhe artikuj të tjerë që përmbanin simbole dhe mbishkrime të dyshuara si nacionaliste.

Për shkak të natyrës së materialeve të konfiskuara, në këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun e vendit, Veton Elshani, ka konfirmuar se deri më tani nuk ka të arrestuar në lidhje me këto raste. Megjithatë, hetimet janë në vazhdim.

Këto operacione janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për forcimin e rendit dhe ligjit në veriun e vendit, si dhe për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe potencialisht destabilizuese.