Armend Thaqi, “Ylli i javës”, vitet për të janë veç numra
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e shtatëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilani, Armend Thaqi.
Ai pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes, duke shënuar një eurogol që barazoi rezultatin në derbin e qytetit kundër FC Drita, i cili përfundoi me rezultat 1:1.
Pasi mori këtë çmim, Thaqi u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës
“Derbi i qytetit asesi nuk duhet të humbet dhe jam i lumtur që së paku kemi marrë një pikë. Nuk e kemi nisur shumë mirë kampionatin, ndonëse klubi ka bërë investime të mëdha dhe ka pasur një organizim shumë të mirë. Hallka që ka dështuar këtë vit kemi qenë ne, futbollistët, të cilët nuk kemi arritur të komponohemi mirë mes vete dhe duhet të marrim përgjegjësi. Aktualisht kemi filluar këndelljen me trajnerin e ri dhe nuk duhet të lëshojmë më pikë’’, theksoi Thaçi
Në aspektin individual jam shumë i lumtur që jam shpallur “Ylli i Javës” dhe kjo i dedikohet të gjithë futbollistëve dhe mbi të gjitha tifozëve, sepse sidomos kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ta dhe luhet për ta’’ , shtoi më tej Thaçi për faqen zyrtare të FFK-së./Indeksonline/

