13:20 / E Martë, 07 Korrik 2020 / indeksADMonline

Armend Zemaj: Covidi-19 – luftë e të gjithëve, jo vetëm e ministrit të Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj në një konferencë shtypi, ka thënë se situata shëndetësore në vend është duke u menaxhuar dhe është në koordinim të plotë me të gjithë aktorët shtetërorë që janë të përfshirë në këtë situatë.

Zemaj ka thënë se me vendimin e ri të Qeverisë për masat e reja në luftën kundër Covidit-19, e i cili ka hyrë në fuqi dje është kërkuar riaktivizimi i plotë i të gjitha hallkave shtetërore, çka ka thënë se kanë marrë përgjigje të menjëhershme.

Zemaj ka thënë se nevoja e shtuar për teste i ka nxjerr në një plan të ri, të menaxhimit të kësaj situate, duke kërkuar edhe shtimin e kapaciteteve në Klinikën Infektive.

“Nevoja për testime na ka nxjerr në një plan të ri, ta menaxhojmë situatën deri në fund, arsyet janë shtimi i kapaciteteve, kemi deleguar katër mikrobiologë të ri, tetë laborantë si staf përforcues”, tha Zemaj.

Zemaj ka thënë se tani kërkohet nga të gjithë që të mos luajnë me ndjenjat e qytetarëve e të mos bëjnë politikë në këtë kohë kur kërkohet angazhimi i të gjithëve.

“Pak është në interesimin tonë çka thonë të tjerët. Ne marrim informacione të plota dhe i koordinojmë. Të tjerët mund të bëjnë politikë i vlerësoj dhe i kuptoj, por ajo çka kërkohet nga ne është të mos luhet me ndjenjat e qytetarëve, sepse çdo kush mund të bie pre e infeksionit dhe kjo nuk e përjashton askënd “, tha Zemaj.