10:19 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2024 / MSH

Armëpushimi në Gaza – palëve u prezantohet një marrëveshje

Hamasi thotë se është përgjigjur në propozimin për armëpushim të ri në Gaza.

Detajet e marrëveshjes së përcaktuar nga Izraeli, SHBA, Katari dhe Egjipti, nuk janë bërë të ditura, raporton BBC.

Më herët u raportua se armëpushimi mund të zgjaste deri në gjashtë javë, me ç’rast do të bëheshin më shumë shkëmbime pengjesh.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili aktualisht ndodhet në Lindjen e Mesme, tha se do të diskutonte përgjigjen e Hamasit me zyrtarët në Izrael të mërkurën.

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë për BBC se grupi ka paraqitur një qëndrim pozitiv në këtë marrëveshje, por që ka kërkuar ndryshimin e disa pikave që përcaktojnë rindërtimin e Gazës, kthimin e banorëve nëpër shtëpi, trajtimin e të plagosurve e kështu me radhë.

Konflikti në Gaza u shkaktua nga një sulm i paprecedentë ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, në të cilin rreth 1,300 njerëz u vranë dhe rreth 250 të tjerë u morën peng.

Më shumë se 27,500 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, i cili është qeverisur nga Hamasi dhe i bllokuar nga Izraeli dhe Egjipti që nga viti 2007.

Hamasi është përshkruar si një organizatë terroriste në disa vende.