Arne Slot flet për të “harruarin” Chiesa
Reprezentuesi italian Federico Chiesa nuk është pjesë e skuadrës së Liverpoolit për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Galatasarayt, ndërsa trajneri Arne Slot shpjegoi problemin e fundit të lojtarit.
Ndeshja e parë e fazës së 1/8 së finales do të zhvillohet në Stamboll të martën.
Skuadra nuk do të udhëtojë e plotë, pasi ish-portieri i Romës, Alisson Becker, dhe Chiesa janë lënë jashtë në Liverpool.
“Federico gjithashtu nuk ishte në stërvitje. Ai nuk është ndjerë mirë mbrëmë, prandaj nuk u stërvit sot me ne dhe nuk do të udhëtojë me skuadrën,” shpjegoi Slot në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Sa i përket Alissonit, portieri ndjeu një shqetësim të lehtë në fund të seancës stërvitore dhe stafi mjekësor vendosi se ishte më mirë të qëndronte në shtëpi për këtë ndeshje.
Problemet e shpeshta me dëmtime kanë ndikuar shumë në karrierën e Chiesas dhe gjëja e fundit që i duhej ishte të humbiste ndeshje edhe për shkak të sëmundjes.
28-vjeçari mund të rikthehet në skuadrën e Italisë kur trajneri Gennaro Gattuso të përzgjedhë ekipin për “play-offet” e Botërorit 2026 më vonë këtë muaj.
Chiesa ka zhvilluar 29 ndeshje zyrtare për Liverpoolin këtë sezon, duke kontribuar me tre gola dhe tre asistime, megjithëse vetëm në pesë prej tyre ka qenë titullar.

