20:28 / E Enjte, 05 Tetor 2017 / indeksADMonline

Arrest shtëpiak për të dyshuarin e aksidentit nga i cili vdiq 20 vjeçari

Një muaj arrest shtëpiak është masa që Gjykata e Mitrovicës e ka caktuar ndaj të pandehurit L.J., i cili dyshohet për një aksident komunikacioni që ka ndodhur më 30 shtator.

Njësia e Trafikut Rajonal të Mitrovicës kishte ushtruar kallëzim penal ndaj L.J. për veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Nga përmbajtja e raporteve, të siguruara nga KALLXO.com, aksidenti kishte ndodhur në Mitrovicë më 30 shtator rreth orës 23:50, kur i dyshuari ishte duke drejtuar automjetin në rr. “Driton Veliu” prej drejtimit të Tavnikut në drejtim të stadiumit “Adem Jashari”.

“I njëjti pas marrjes se një veprimi jo të sigurt duke u ndalur në një pjesë të rrugës e pastaj duke bërë kthim gjysmërrethor ku në ato momente ishte duke lëvizur motoçikleta e tipit “Yamaha“ e cila goditet në pjesën anësore të përparme të anës së majtë të automjetit, ku pas goditjes motoçikleta dhe drejtuesi i saj bie për asfalti ku përveç dëmeve materiale në automjet dhe motoçikletë lëndime të rënda trupore kishte pësuar drejtuesi i motoçikletës – i dëmtuari Valon Vallqi”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal.