15:42 / E Diele, 02 Qershor 2024 / LB

Arrestimi i Tefik Mustafës nxori në shesh manipulimin e Serbisë me listat e të vrarëve në Kosovë

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Në orët e vonshme të ditës së djeshme (e shtunë 1 qershor 2024), ish-zëdhënësi i partisë së Millosheviqit gjatë kohës kur Serbia kreu gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë, i cili aktualisht është zëvendëskryemisistër dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, lëshoi një kumtesë në të cilën thuhet :

“Sot pasdite, në pikën administrative të kalimit në Merdare, u arrestua një person, i dyshuar për krime lufte kundër civilëve në Kosovë dhe Dukagjin. Fjala është për Tefik Mustafën, i cili, si pjesëtar i UÇK-së, përmendet në deklaratat e dëshmitarëve si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, që ka ndodhur më 19 qershor 1999 në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan, te vendi Labanj, pas së cilës atyre u humbën të gjitha gjurmët. Personi do t’i dorëzohet Prokurorisë për Krime Lufte”[1].

[1] HAPŠENJE OVK TERORISTE NA MERDARU, Lišen slobode osumnjičeni za ratni zločin Tefik Mustafa.

No description available.

Në shikim të para, kumtesa e kriminelit Ivica Daçiq duket kundërthësese, sepse fillimisht shpall Tefik Mustafën si “të dyshuar për krime kundër civilëve”, ndërkaq sjell “deklaratat e dëshmitarëve për tre policë të rrëmbyer”! Mirëpo nuk ka asgjë kundërthënëse në mënyrën e funksionimit të Serbisë nën udhëheqjen e atyre që ishin pjesëmarrës të institucioneve shtetërore gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndërkohë që zhvillohej lufta dhe menjëherë pas përfundimit të saj, regjimi i Sllobodan Millosheviqit publikoi disa variente të “Librit të bardhë”, me qëllim që të njollosej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke e fajësuar për vrasje të civilëve. Në funksion të manipulimit të institucioneve politike dhe atyre të drejtësisë ndërkombëtare, të cilave ua kishin shpërndarë librin falas, u publikuan lista të ushtarëve, të policëve dhe të civilëve të të gjitha përkatësive etnike, të vrarë gjatë luftës në Kosovë, vrasja e të cilëve i vishej UÇK-së.

Pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, qeveria e re “demokratike” e këtij shteti, në muajin nëntor të vitit 2001, botoi variantin e ri të “Librit të bardhë”, të titulluar “Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji-Ubijena, oteta i nestala lica, januar 1998 – novembar 2001” (Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin – Personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998 – nëntor 2001).

Mënyrën sesi u manipuluan listat e lartpërmendura e kemi trajtuar gjerësisht në veprën “Mashtrimi i madh” dhe në librin që do të botohet së shpejti. Në kontekst të kumtesës së kriminelit Ivica Daçiq po përmendim vetëm një rastin e policit Srečko Majanović (Sreçko Majanoviq).

Në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 48 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Srečko Majanović (Sreçko Majanoviq). Në sqarimet që jepen rreth vrasjes së tij, në këtë botim saktësohet se ky polic ishte plagosur më 1 gusht 1998, pastaj ishte transferuar në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd, ku kishte vdekur më 4 gusht 1998[1]. Në botimin e vitit 2001, Srečko Majanović u transferua në numrin rendor 44 të listës “së viktimave civile të rrëmbyera ose të zhdukura pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”.[2]

Duke njohur mënyrën kriminale të funksionimit të Serbisë, sapo lexova kumtesën në fjalë vendosa të verifikoj të dhënat që jepen në të.

Meqenëse pretendohet se policët e lartpërmendur ishin rrëmbyer më 19 qershor 1999, fillimisht kërkova emrat e tyre në listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme “të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”. Nuk i gjeta emrat e tyre! Pastaj kërkova në “listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të vrarë, të rrëmbyer ose të zhdukur nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999”. As aty nuk ishin!

Në fund konsultova “listën e civilëve serbë e malazias të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”.

Në numrin rendor 446 të kësaj liste figuron Goran Marinkoviqi, i lindur më 25.09.1972, në Slivovë, nga babai Srbolub. I rrëmbyer më 19.06.1999 në rrugën Slivovë-Prishtinë, së bashku me të njohurin e tij, Zhivorad Paviq, me të cilin udhëtonin për në Vranjë”.

No description available.

[1] Federal Republic of Yugoslavia, Federal Ministry of Foreign Affairs, Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija, f. 936.

[2] Vepra e cituar, Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji…, f. 26.

Është e kuptueshme që mospërfshirja e Goran Marinkoviqit dhe Zhivojin Paviqit në “listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme” dhe prezantimi si “civilë të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999” kushtëzoi fshehjen e të dhënave se këta të dy kanë qenë kolegë, por prezantohen vetëm si persona që njiheshin.

Meqenëse në përshkrimin e rrethanave kontekstuale të “rrëmbimit dhe zhdukjes së Goran Marinkoviqit” përmendej vetëm Zhivojin Paviqi dhe nuk thuhej asnjë fjalë e vetme për Predrag Millosheviqin, që figuron në kumtesën e lartpërmendur, kërkova informata shtesë në njoftimin që Qeveria e Serbisë kishte dhënë për Zhivojin Paviqin në librin për “viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin – Personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998 – nëntor 2001.

Në numrin rendor 591 “të listës së civilëve të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999” figuron edhe “Zhivojin Paviq, shofer, nga fshati Slivovë e komunësë së Prishtinës, i lindur më 1951 në fshatin Slivovë, nga babai Slavolub. I rrëmbyer në vendin Labanje, në rrugën Slivovë-Prishtinë, më 19.06.1999, rreth orës 19:00, në kamionin e markës MAN, me targa  PA 863-54 dhe 19-24 PA. Është rrëmbyer së bashku me Predrag Millkoviqin!

No description available.

Në përshkrimin e rrethanave kontekstuale të “rrëmbimit dhe zhdukjes së Zhivojin Paviqit” nuk përmendet fare Goran Marinkoviqi e as Predrag Millosheviqi, por doli një emër i ri, Predrag Millkoviqit.

Edhe Predrag Millkoviqit figuronte “në listën e civilëve të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”. Në numrin rendor 520 shkruan: “Predrag Millkoviq, shofer nga Smedereva, rruga Joce Ivanoviq nr.22, i lindur më 14 shkurt 1961 në Velika Pllana, nga babai Jovani dhe nëna Zhivka, e lindur Stoillkoviq. I rrëmbyer nga ana e terroristëve shqiptarë në rrugën Slivovë-Prishtinë te fshati Labanje, rreth orës 19:00. Është rrëmbyer së bashku me Zhivojin Paviqin, teshat e së cilit është dashur t’ia bartë nga Svilova në Smederevë. Sipas disa informatave, ndodhet në burgun e ‘UÇK-së’ në Prishtinë”.

No description available.Më kot kërkova emrin e policit Predrag Millosheviqi! Ai nuk figuron në asnjërën nga listat e publikuara deri tani nga Qeveria e Serbisë.

Në kumesën e zëvendëskryemisistërit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, kriminelit Ivica Daçiq dolën në shesh emrat e policëve që Qeveria e Serbisë i kishte zhvendosur në “listën e civilëve të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”.

Duke njohur mënyrën e funksionimit të institucioneve shtetërore të Serbisë, është plotësisht e  besueshme që fati i policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq, Predrag Millosheviq dhe Predrag Millkoviq të kishte qenë i njëjtë si i policit Sreçko Majanoviq, i cili kishte vdekur më 4 gusht 1998, nga plagët e marra gjatë luftimeve me UÇK-në më 1 gusht 1998, u “ringjall”  në vitin 1999, për t’u “rrëmbyer dhe zhdukur nga terroristët shqiptarë, pas përfundimit të luftës”.

Fatkeqësisht si në rastin “Panda” dhe në shumë procese të kurdisura nga pushteti serb, ku u arrestuan shqiptarë të pafajshëm, dje u arrestua Tefik Mustafa! Regimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, të Shqipërisë dhe institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të jetë i menjëhershëm dhe i ashpër, sepse nesër mund të jetë tepër vonë!