Arrestimi i Veliajt, Berisha: Rama është tmerruar se ka hallin e vet

Reagimi i kryeministrit Edi Rama mëngjesin e sotëm, teksa humbi durimin kur iu ndërpre lidhja live në Instagram, ka sjell edhe qëndrimin e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se kreu i qeverisë është trembur deri në palcë nga arrestimi i Veliajt dhe po bën gjithçka për të treguar se nuk ka gisht në këtë aferë. Sipas tij reagimi i Ramës nuk është risi.
“Unë e pashë sot Edi Ramën siç e patë ju, kur i erdhi në gojë fjala e konsulentit, që këtë e quante punëtor i Trumpit, shkallmoi dhe e humbi dhe iu kthye me grushte tavolinës. E vetmja gjë që thashë në atë moment, shyqyr Zotit nuk ka ndonjë grua aty që të hajë grushtet e tij. I hëngri ato grushte tavolina, po mirë e boll, i bëfshin mirë se po të ishte ndonjë ministre a ndonjë tjetër, kushedi se çfarë do ndodhte. Këto gjeste të tij janë të njohura, nuk janë risi. Edi Rama, pas arrestimit të numrit 2 të PS-së, bëri gjithçka nga njëra anë i terrorizuar dhe i trembur gjer në palcë nga Erion Veliaj, të tregojë se është duarjashtë në këtë aferë, se nuk ka gisht në këtë aferë. Po këtu të ndalemi pak. Nuk kishte hallin e Erion Veliajt, kishte hallin e tij”, ka thwnw Berisha.
Theksojmë se Gjykata e Posaçme Anti Korrupsion zhvillon nesër seancën për njohjen e masës së sigurisë për kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili dje u arrestua me kërkesë të SPAK-u.
Mësohet se seanca do të zhvillohet nesër në orën 8:30 të mëngjesit./Indeksonline/