Arrestimi i zyrtarëve të komunës, reagon Përparim Rama: Ofrojmë bashkëpunim për organet e drejtësisë
Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar paraditën e së martës, për marrje ryshfeti.
Lidhur me këtë ka reaguar i pari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, transmeton IndeksOnline.
Rama ka ofruar bashkëpunim për organet e drejtësisë.
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik”, thuhet mes tjerash në reagimin e Ramës.
“Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës.”, ka shkruar tutje ai.
Indeksonline merr vesh nga burimet se të arrestuarit janë Dukagjin Gashi, Bashkim Sadiku si dhe Afrim Gashi.
Tutje, Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime Ekonomike, njofton se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, me masa të veçanta hetimore ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin e veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ në bazë të nenit 421 të Kodit Penal të Republikes së Kosovës./Indeksonline/

