75 Mall Live Search
15:02 / E Hënë, 02 Qershor 2025 / Z S

Arrestohen 15-të të dyshuar për keqpërdorim të kartelave të bankës dhe mashtrime kompjuterike

Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjilan, pas një hetimi intensiv rreth një vjeçar, sot me datën 02.06.2025 ka realizuar me sukses një operacion policor mirë të planifikuar dhe organizuar, që ka rezultuar me arrestimin e pesëmbëdhjetë personave të dyshuar.

Arrestimi i tyre është bërë pasi gjatë hetimit janë siguruar dëshmi të arsyeshme se të dyshuarit kanë qenë të përfshirë në veprat penale ‘’Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit’’ dhe ‘’Mashtrim kompjuterik’’.

Bazuar në informacionet dhe provat e mbledhura gjatë hetimit, të dyshuarit, dyshohet se në periudha të ndryshme kohore me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë kanë përdorur të dhëna të ndryshme bankare, duke shkaktuar dëme materiale për qytetarë.

Operacioni është realizuar në koordinim dhe autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.Të gjithë të arrestuarit me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se  të lartcekurit dyshohen se gjatë periudhës kohore janar – tetor 2024, në komunën e Vitisë, në bashkëpunim dhe ne marrëveshje paraprake ne mes vete  kanë vepruar në mënyrë të organizuar  me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se të pandehurit kanë shfrytëzuar hapësirën kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve, për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar dëm material në shumë prej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë (186.000) mijë euro përmes mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të bankës../Indeksonline/