Arrestohen 21 persona në kuadër të zbatimit të urdhëresave gjyqësore

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka arrestuar 21 persona në kuadër të planit operativ për ekzekutimin e urdhëresave të gjykatave. Operacioni është realizuar gjatë periudhës 13 maj – 13 gusht 2025, përmes veprimeve të koordinuara në terren nga task-forca e formuar për këtë qëllim.
Personat e arrestuar janë të dënuar me burgime nga 1 vit deri në 5 vite e 6 muaj për vepra të ndryshme penale, përfshirë:
Vrasje në tentativë
Trafikim me njerëz
Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm
Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve
Bashkësi jashtëmartesore me persona nën moshën 16 vjeç
Vjedhje të rënda dhe vepra të tjera penale
Pas përfundimit të procedurave ligjore, të gjithë të arrestuarit janë dërguar për vuajtje të dënimit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan vazhdon punën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për arrestimin e personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjeve të gjykatave.