Arrestohen 3 persona në Tiranë, të dyshuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare
Policia e Shtetit në Shqipëri ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gjeneralitetet”, duke goditur një grup të dyshuar që merrej me falsifikimin e dokumenteve kundrejt shumave që varionin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, pas një hetimi të organizuar për dokumentimin e aktivitetit kriminal të disa personave të dyshuar për falsifikim dokumentesh në mënyrë të organizuar, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit të policies janë arrestuar tre persona, përkatësisht H.M., 53 vjeç, .M., 24 vjeç, si dhe E.V., 37 vjeç.
Sipas autoriteteve, babë e bir kishin vënë në dispozicion banesën e tyre në fshatin Rrushkull të Durrësit, e cila ishte përshtatur si laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme.
Gjatë kontrollit në ambientet e përdorura për këtë veprimtari, hetuesit sekuestruan 46 dokumente të dyshuara të falsifikuara, përfshirë diploma, dokumente shkollore, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente aplikimi për institucione të ndryshme.

