Arrestohen 46 persona në Britani për trafikim të 40 mijë telefonave të vjedhur drejt Kinës

Policia metropolitane e Londrës ka arrestuar 46 persona në kuadër të një hetimi të gjerë që zbuloi kontrabandimin e rreth 40 mijë telefonave të vjedhur nga Britania e Madhe drejt Kinës. Hetimet nisën pas zbulimit të një dërgese me 1,000 iPhone të vjedhur në një depo afër aeroportit Heathrow.
Operacioni i koduar “Echosteep” është cilësuar si fushata më e madhe kundër vjedhjeve të telefonave në Britani. Në bastisje të ndryshme janë gjetur mbi 2,000 telefona të tjerë, si dhe 40 mijë paund para të gatshme. Sipas hetuesve, grupi kriminal synonte pajisje Apple, për shkak të fitimeve të larta në tregjet aziatike.
Një hetues tha se hajdutët paguheshin deri në 300 funte për një telefon, ndërsa disa pajisje janë shitur në Kinë deri në 5,000 dollarë.
Komandanti Andrew Featherstone tha se “ky është një ndër operacionet më të rëndësishme për ndalimin e vjedhjeve dhe grabitjeve të telefonave në Mbretërinë e Bashkuar” dhe kërkoi bashkëpunim më të madh me kompanitë teknologjike për të ndaluar përdorimin e pajisjeve të vjedhura.
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, reagoi duke thënë se “kriminelët po përfitojnë miliona nga tregtimi i telefonave të vjedhur” dhe kërkoi masa ndërkombëtare për ta ndaluar këtë fenomen.