Arrestohen dy persona në Pejë, dyshohet për ryshfet në procesin zgjedhor
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të nacionalitetit serb, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”, në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
“Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, me datë 07.06.2026, ka pranuar njё informacion, që ndërlidhet me dyshimet për aktivitete të kundërligjshme, me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, i cili dyshohet se ka ndodhur konkretisht në fshatin Gorazhdec-Pejë, për të orientuar, ndikuar te qytetarët që të votojnë Listën Serbe”, thuhet në njoftimin e policisë..
Në njoftim po ashtu thuhet se ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.
“Andaj bazuar në këtë njësitë relevante policore sot, kanë ndërmarr veprime konkrete, ku kanë kryer bastisje dhe hasur dy persona meshkuj kosovarë të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rast, të njëjtit janë arrestuar dhe janё intervistuar nga hetuesit rajonal. Të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin janё ndёrmarrё në bashkëpunim dhe koordinim me organet kompetente të drejtësisë, ndёrsa tё dyshuarit me vendim tё prokurorit tё shtetit janё ndaluar pёr 48-orё”, thuhet në njoftim.
Në njoftim po ashtu thuhet se veprimet policore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dëshmojnë përpjekjet aktive dhe vendosmërinë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve.
Policia e Kosovë vazhdon tu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm e pa presion dhe për çdo rast të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës.

