Arrestohen dy persona për kontrabandë, njëri nga ta zyrtar policor!
Në orët e mbrëmjes së djeshme, hetuesit e IPK-së kishin pranuar një informacion nga Policia e Kosovës, lidhur me një rast kontrabandë me mallra në fshatin Novosellë të Kamenicës.
Dy të dyshuar (prej të cilëve njëri zyrtar policor) janë arrestuar me dyshimin se ata kishin kryer veprën penale kontrabandë me mallra.
Dyshimet fillestare janë se ata me një automjet-furgon nëpërmjet rrugëve ilegale nga Serbia për në Republikën e Kosovës kishin kontrabanduar mallra. Pas kontrolleve në furgon janë gjetur gjësende për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumentacion përkatës.
Hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë kontaktuar edhe me prokurorin kujdestar me vendim të të cilit të dyshuarve të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit 48 orë.