75 Mall Live Search
18:04 / E Premte, 02 Janar 2026 / P M

Arrestohen dy të dyshuarit për dhunimin e 30-vjeçares në Fushë Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në një rast të rëndë dhunimi seksual, i raportuar më 31 dhjetor 2025 në Fushë Kosovë.

Sipas autoriteteve, rasti ka ndodhur rreth orës 05:30 në rrugën e Pejës. Viktima, një grua rreth 30 vjeçe me inicialet A.H., ka deklaruar se ishte takuar fillimisht me dy të dyshuarit, të cilët më pas e kishin dërguar në një motel, ku dyshohet se ajo është dhunuar seksualisht, shkruan sinjali.

Policia thotë se pas kryerjes së veprës penale, të dyshuarit e kanë dërguar viktimën në një zonë afër malit dhe e kanë braktisur aty, përpara se të largoheshin në drejtim të panjohur.

Pas raportimit të rastit, Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë ka nisur veprime intensive hetimore. Si rezultat, më 1 janar 2026, në pikën kufitare Mutivodë është ndaluar njëri nga të dyshuarit, L.S., rreth 40 vjeç, i cili ishte në kërkim policor. Autoritetet kanë siguruar po ashtu edhe prezencën e të dyshuarit tjetër, L.G., rreth 39 vjeç.

Me vendim të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë.