Arrestohen dy zyrtarë bankarë, dyshohet se e ngarkuan një grua me kredi prej 25 mijë eurove pa dijeninë e saj
Policia e Kosovës me njësitë e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka kryer veprime hetimore me autorizim të Prokurorit të Shtetit.
Kjo mbi dyshimet se një person në cilësinë e menaxherit bankar ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke liruar mjetet në vlerë prej njëzet e katër mijë euro, ashtu që ka urdhëruar kundërligjshëm të dyshuarin tjetër që të kryej transaksionin e të hollave në llogari të dy bizneseve.
I dyshuari i dytë analist bankarë, ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit të kësaj banke duke transferuar njëzet e katër mijë euro nga llogaria e të dëmtuarës të cilën paraprakisht e kishin ngarkuar me kredi prej 25 mijë euro pa dijeninë e saj, nga dymbëdhjetë mijë euro për secilin biznes.
Lidhur me këtë pas veprimeve të kundërligjshme të të dyshuarve, kredia në emër të dëmtuarës është ngarkuar me procedurë përmbarimore, e më pas është kallëzuar penalisht në Prokurori nga banka, edhe pse ky subjekt nuk ka ofruar asnjë provë që dëshmon se në emër të saj është realizuar kredia prej njëzet e pesë mijë euro.
Të dyshuarit e lartë cekur, me veprimet e tyre të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj.
Të njëjtit janë intervistuar në prani të mbrojtësve, ndërsa me aktvendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përderisa hetimet për rastin do të vazhdojnë në aspektin financiar, në drejtim te zbardhjes së shumës prej njëzet e pesë mijë euro.

