75 Mall Live Search
08:54 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2023 / MSH

Arrestohen gjashtë persona për falsifikim të parasë, prodhim dhe vënie të tyre në qarkullim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion gjatë të cilit është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara.

Këto para dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.

Prokuroria Speciale njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona të dyshuar, për veprat penale “Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim)”, pasi të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike 2 Euro të falsifikuara.

Ndërkaq, tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.

Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 Euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

Po ashtu, janë sekuestruar katër vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë telefona celularë.

Personat e arrestuar, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.