75 Mall Live Search
15:22 / E Enjte, 27 Shkurt 2025 / k.v

Arrestohen kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku nën dyshimin për korrupsion e vepra tjera penale

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se sot, më 27 shkurt 2025, janë intervistuar dhe ndaluar për 48 orë dy zyrtarë të Inspektoratit Qendror të Punës nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Të ndaluarit janë: Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit Qendror të Punës dhe Naim Shalaku, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore.

Ata dyshohen për veprat penale: Hekuran Nikçi: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (neni 414, paragrafi 1 i KPRK-së), Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës (neni 218 i KPRK-së), Përdorimi i paautorizuar i pasurisë (neni 420 i KPRK-së).

Naim Shalaku: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (neni 414, paragrafi 1 i KPRK-së), Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi (neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së)

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të paraqesë kërkesën për masën e sigurisë ndaj të pandehurve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda.