75 Mall Live Search
09:15 / E Mërkurë, 07 Maj 2025 / MSH

Arrestohen tre persona në Gjilan, mashtruan shtetas të huaj përmes thirrjeve telefonike

Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, pas veprimeve hetimore, me mbështetjen edhe nga njësitet e tjera relevante policore, ka zhvilluar kontroll në tri lokacione të ndryshme në Gjilan, me ç’rast janë arrestuar tre persona të dyshuar. 

Të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër dhe në grup edhe me persona të tjerë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm kryesisht shtetas të huaj, duke i joshur përmes thirrjeve telefonike, përdorimit të identiteteve të rreme dhe metodave të sofistikuara dhe kanë arritur t’i bindnin që të investonin në bursa fiktive dhe kriptovaluta.

“Këtë veprimtari kriminale të dyshuarit dyshohet se e kanë ushtruar nga një lokacion (zyrë) e modifikuar si qendër e thirrjeve e cila ka qenë e kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësi të provave materiale lidhur me rastin janë sekuestruar:

  • 3 vetura;
  • 3 kompjuterë;
  • 9 telefona mobilë;
  • 10044 euro (para të gatshme);
  • 100 franga zvicerane (para të gatshme);
  • 1100 dollarë amerikanë (para të gatshme);
  • 50 copë municione;
  • DVR;
  • Routerë;
  • Kufje;
  • Monitorë kompjuteri;
  • Dokumente të ndryshme.

Me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit meshkuj kosovarë ndalohen për 48 orë, derisa rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor.