15:27 / E Enjte, 15 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Arrestohen tre persona për grabitje të armatosur në Pejë

Me datën 10 nëntor 2018 në fshatin Vitomiricë-Pejë, dy persona kishin hyrë me forcë në shtëpinë e viktimës femër boshnjake, ku të dyshuarit me të vërejtur viktimën nën kërcënimin e armës së zjarrit kanë tentuar që t’ia lidhin gojën me një lloj materiali, me ç’rast viktima është mbrojtur dhe ka arritur që të ikë nga dritarja e shtëpisë, ku zhurmën e krijuar e kanë dëgjuar fqinjët të cilët kanë raportuar në Polici.

Policia e Kosovës menjëherë është vënë në kërkim të personave të dyshuar dhe në ikje e sipër (flagrancë) ka arritur ta bëjë arrestimin e tyre.

Me këtë rast është konfiskuar një (1) pistoletë-armë, një karikator dhe sasi e municionit, si dhe dëshmi materiale të cilat ndërlidhen me rastin.

Po ashtu, viktima ka pësuar disa gërvishtje në fytyrë dhe e njëjta është dërguar në spitalin rajonal në Pejë ku ka marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është kthyer në shtëpi.

Pas hetimeve të zhvilluara nga hetuesit rajonalë për hetime DRP-Pejë, është identifikuar edhe personi i tretë i dyshuar dhe i njëjti është arrestuar, ku këta të dyshuar dyshohet kishin kryer edhe disa vepra të ngjashme të ndodhura në vitin 2013 dhe në vitin 2018.

Personat e dyshuar të arrestuar lidhur me këtë rast janë:

• A. B. lindur me 1990 m/k/sh
• XH. B. lindur me 1990 m/k/sh
• E. Z. lindur me 1975 m/k/boshnjak

Ndaj të dyshuarve është ngritur kallëzim penal, të cilët janë dorëzuar pranë Prokurorisë Themelore në Pejë për procedurë të mëtutjeshme.

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda të dyshuarve ua ka shqiptuar masën e ndalimit prej 30 ditëve për të vazhduar me hetime të mëtutjeshme.

Policia e Kosovës i falënderon qytetarët e kësaj zone të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar Policinë pa hezituar në raportim të dukurive negative kriminale brenda shoqërisë sonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund dhe duhet të krijojmë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në komunën e Pejës dhe të rajonit në përgjithësi. /Indeksonline/