Arrestohet 27-vjeçari që mbante peng dhe e rrihte partneren italiane në Fier

Policia e Fierit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Fast Reaction”.
Si rezultat, u arrestua një 27-vjeçar në Cakran, i cili kishte mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe kishte dhunuar bashkëjetuesen e tij italiane.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë bëri të mundur shpëtimin e viktimës dhe ndalimin e autorit.
Autori, me precedent kriminal, për dhunë në familje dhe për vjedhje. Ai u kap në tentativë për t’u larguar, me automjet të marrë me qira.
Pas njoftimit të Zyrës së Ekspertit të Sigurisë prane Ambasadën italiane në Tiranë dhënë Departamentit të Policisë Kriminale se një shtetase italiane mbahej pa dëshirë, në një banesë në fshatin Cakran, nga bashkëjetuesi i saj, i cili dhe e dhunonte, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, të mbështetura nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacione dhe të koordinuara nga strukturat përfaqësuese të Italisë për sigurinë në Shqipëri, kanë organizuar punën dhe janë nisur menjëherë në drejtim të zonës së sinjalizuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, të realizuara në kuadër të operacionit “Fast Reaction”, u kap në tentativë për t’u larguar nga banesa, me një automjet të marrë me qira, autori i dyshuar i rastit, shtetasi A. I., 27 vjeç.
Shtetasja italiane iu dorëzua autoriteteve të Konsullatës së Italisë në Shqipëri dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.