75 Mall Live Search
22:52 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / Burim

Arrestohet 28 vjeçari në Prishtinë, ishte i dënuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve

Një person është arrestuar sonte në Prishtinë për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinë, Enis Pllana.

“Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve policore me qëllim kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar si autor të veprave penale. Në kontekstin e kësaj, sonte nga veprimet e marra nga njësitë e stacionit policor Veriu në Prishtinë, është arritur arrestimi i personit të kërkuar”, ka thënë Pllana.

Sipas tij, i arrestuar është një 28 vjeçar i cili ishte i dënuar me burgim për disa vepra penale.

“·T.B, mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i dënuar me 2 vite e 2 muaj burgim për veprën penale “Blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe në kërkim si i dyshuar për “Dhunë në familje””, ka thënë Pllana, duke shtuar se gjatë arrestimit nuk ka pas të shtëna ashtu siç është raportuar në media.

Sipas tij, gjatë operacionit të dyshuarit i është gjetur edhe një sasi e dyshuar e substancave narkotike.

I njëjti pas arrestimit nga ana e policisë është dërguar në vuajtje të dënimit. /IndeksOnline/