16:22 / E Premte, 09 Qershor 2023 / MSH

Arrestohet 57 vjeçari në Ferizaj, plagosi me armë një person

Mbrëmë, rreth orës 22:40 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në në rrugën “Tahir Meha” në Ferizaj është një rast i tentim vrasjes.

Policët e rendit e më pas edhe hetuesit e stacionit në Ferizaj i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Në rast janë kyçur edhe hetuesit rajonal të sketorit të vrasjeve, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet.

Nga hetimet e para është mësuar se pas një zënke i dyshuari F.G (M/K) i moshës 57 vjeçar kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe ishte larguar me një veturë në drejtim të panjohur, ndërsa viktima ishte dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe ishte jashtë rrezikut për jetën.

Hetuesit rajonal i kanë marrë të gjitha veprimet hetimore,  kanë identifikuar të dyshuarin dhe që mbrëmë kishin nisur kërkimin e tij.

Ndërsa sot, rreth orës 15:00 i dyshuari është vetë dorëzuar dhe është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve, ndërsa ka dorëzuar edhe armën e zjarrit me katër fishekë, me të cilën dyshohet se ka qëlluar në drejtim të personit tjetër.

I dyshuari pasi është intervistuar nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore,ndërsa rasti është cilësuar ‘” Vrasje në tentativë’’.