Arrestohet afër Kukësit 53-vjeçari nga Rahoveci

Policia Kufitare në Shishtavec të Kukësit ka arrestuar në flagrancë një 53-vjeçar, pasi ka kaluar ilegalisht kufirin me një automjet të ngarkuar me produkte ushqimore pa dokumentacion përkatës.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gjatë kontrolleve të zhvilluara në fshatin Pakisht, shërbimet policore kanë ndaluar automjetin kamionçinë të drejtuar nga shtetasi S.V., 53 vjeç, banues në Rahovec, ku u gjetën dhe u sekuestruan mallrat ushqimore të kontrabanduara, si dhe vetë automjeti.
Pas veprimeve hetimore, i dyshuari u arrestua dhe ndaj tij rëndojnë veprat penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Kukësit për veprime të mëtejshme./IndeksOnline/