75 Mall Live Search
09:54 / E Martë, 27 Janar 2026 / OSH

Arrestohet Besim Sherifi i akuzuar për vrasje të trefishtë, përdorte dokumente të rreme në emër të një kosovari

Një 52-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tri vrasje të kryera në Maqedoninë e Veriut është arrestuar në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë 52-vjeçari Besim Sherifi, banues në Kopanicë, Saraj, Maqedonia e Veriut.

Ai fshihej prej kohësh në kryeqytet duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara në emër të një shtetasi nga Kosova. Ai u lokalizua dhe u kap në zonën e Liqenit të Thatë.

Nga verifikimet rezultoi se Sherifi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale: “Vrasja”, e cila parashikon dënim maksimal burgim të përjetshëm.

Ai dyshohet se më 5 tetor 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka vrarë me armë zjarri tre shtetas.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, policia i gjeti dhe sekuestroi një pasaportë kosovare, një kartë identiteti kosovare dhe një leje drejtimi automjeti, të gjitha të falsifikuara.

52-vjeçari u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, ndërsa materialet për veprën penale: “Falsifikimi i dokumenteve” i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po ndjek procedurat për ekstradimin e tij.