Arrestohet gazetarja malaziase, që raportoi rrejshëm për intervenim të ROSU-së në territorin e Malit të Zi

Gazetarja e portalit FOS media Anxhela Gjikanoviq (26) është arrestuar për shkak të veprës penale shkaktim paniku dhe trazira në Mal të Zi.
Ajo u dërgua mbrëmë në ndërtesën e ODT Podgorica, ku pas kësaj do të dihet nëse do të mbahet në arrest.
“Pas seancës dëgjimore, Prokurori i Përgjithshëm do të vendosë për veprime të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e ODT-së.
Policia ka deklaruar se dyshohet se Gjikanoviq, si redaktore përgjegjëse e FOS medias, ishte autorja e një teksti të rremë të botuar në këtë portal me titullin “FOS zbulon: Anëtarët e ROSU-së në dispozicion të Malit të Zi për Ditën e Krishtlindjes”.

“Teksti i diskutueshëm thotë se “rreth 250 pjesëtarë të ROSU – Forcave Speciale të Kosovës do t’i bëjnë të disponueshëm për autoritetet malazeze të sigurisë në ditën e protestës në Podgoricë, të planifikuar për nesër”, duke shkaktuar panik në publik me lajme të rreme në media”, thuhet në deklaratë.
Teksti i diskutueshëm u botua rreth orës 11.00, dhe gjysmë ore më vonë erdhi mohimi i Qeverisë së Malit të Zi, duke thënë se portali FOS kishte botuar lajme të rreme se një njësi speciale e Kosovës ishte angazhuar për të monitoruar mitingjet në Podgoricë.
“Ky informacion i rremë ka për qëllim të shqetësojë publikun dhe të shkaktojë trazira. Qeveria po i kërkon Prokurorisë të përgjigjet urgjentisht, “thuhet në deklaratën e Qeverisë së Malit të Zi.
Gazetarja Gjikanoviq u thirr në ambientet e policisë së Podgoricës rreth orës 02:00, ku inspektorët u këshilluan me kryeprokurorin.Menjëherë pas njoftimit, portali FOS tërhoqi tekstin e diskutueshëm dhe më pas redaksia kërkoi falje për lajmet e rreme.Avokati Srgjan Ljeskoviq konfirmoi për “Vijesti” se gazetarja e kishte punësuar, por që ai nuk kishte qenë me të në seancë pasi nuk ishte në Mal të Zi.