14:59 / E Martë, 06 Qershor 2023 / k.v

Arrestohet i dyshuari për kanosje të dy viktimave në Leposaviq

Policia e Kosovës ka arrestuar sot të dyshuarin për dy raste të ndara, të kanosjes, ndaj dy viktimave në komunën e Leposaviqit.

“Në rastin e parë, më datë 26.05.2023, viktima femër kosovare serbe kishte raportuar se ndjehet e kërcënuar nga i/të dyshuar meshkuj serb. Viktima po ashtu ka potencuar se nga një i dyshuar mashkull serb ka pranuar një mesazh kërcënues si dhe sipas saj ka parë person/a të maskuar, me gurë, duke bërë lëvizje për rreth zonës ku e njëjta jeton. Ndërsa në rastin e dytë më datë 05.06.2023 viktima mashkull kosovar serb ka raportuar se ishte kanosur me fjalë kërcënuese përmes telefonit nga i dyshuari mashkull kosovar serb”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me rastet është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari B.DJ., (1981), mashkull kosovar serb ndaj të cilit të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të hetojë të gjitha aktet kriminale dhe të parandalojë shfaqjen e dhunës./IndeksOnline/