Arrestohet i dyshuari qe i’u shmang policisë për tri ditë

Në kuadër të punës së shkëlqyer parandaluese që po bën policia e rajonit të Prishtinës, ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative të cilat kanë rezultuar me parandalimin e disa akteve të ndryshme kriminale.
Një pikësynim i veçantë ka qenë arrestimi i personave të kërkuar si edhe gjetja e armëve dhe municioneve dukuri kjo që kohët e fundit ka qenë ndër prioritetet për t’u luftuar nga ana e policisë së rajonit të Prishtinës.
Kështu pas marrjes së informatave në rrugë operative se në një hotel në fshatin Prugovc të Prishtinës është strehuar një i dyshuar, i cili më 17.01.2021 kishte shtënë me armë zjarri në lagjen “Kodra e trimave” në Prishtinë, njësitet e specializuara të policisë ndërmorën një operacion bastisjeje me ç’rast arritën të kapnin dhe të arrestonin të dyshuarin;
• E. M, mashkull 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si edhe
pas një kontrolli të detajuar të ushtruar gjatë bastisjes policia arriti të gjente dhe sekuestronte:
• Një revole të tipit ZORAKI, kalibër 9 mm,
• Njëzetedy copë fishekë, kalibër 9 mm, si edhe
• Dy karikatorë.
I dyshuari ishte i kërkuar edhe për vepra të tjera kriminale, pas arrestimit është dërguar në stacionin policor për t’u proceduar më tej në përputhje me rekomandimet e prokurorit të shtetit.
Së këndejmi ju sigurojmë që të gjitha nivelet e policisë në kuadër të Drejtorisë rajonale të Prishtinës, me përkushtim të lartë po kryejnë detyrat zyrtare me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si edhe parandalimit të akteve kriminale krejt kjo me qëllim të krijimit të rrethanave të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit.