09:31 / E Enjte, 23 Maj 2024 / S Z

Arrestohet njëri nga të dyshuarit për plagosjen e dy personave në Prizren, policia jep detaje

Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë në Prizreni, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.  Në raportin e policisë thuhet se ngjarja e cila është cilësuar si vrasje në tentativë,  ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:26 minuta, ku për shkak të një mosmarrëveshje dy persona janë sulmuar me mjete të forta dhe armë zjarri nga tetë persona të dyshuar.

“Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ishte së bashku me dy viktimat meshkuj kosovarë, pas një mosmarrëveshje janë sulmuar me mjete të forta si dhe me armë zjarri, nga tetë të dyshuar meshkuj kosovarë. Dy nga viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe më pas njëri nga ta është liruar, ndërsa tjetri është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm. Në vendin e ngjarjes në dy lokacione janë gjetur dhe konfiskuar tre gëzhoja”, thuhet në raportin e policisë.

Me vendim të prokurorit është  bërë bastisja në dy lokacione, ku gjatë kontrollit është hasur dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit meshkuj kosovarë, po ashtu është hasur dhe një kamionetë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës ku brenda saj janë gjetur dhe konfiskuar 37 fishekë që dyshohet të jenë të armës me gaz. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje./Indeksonline/