Arrestohet mësuesja e historisë, dyshohet se kërcënoi me vrasje nënën e një nxënësi
Pak ditë më parë, prindërit u mblodhën në hyrje të shkollës “Emin Duraku” për të ndaluar hyrjen e arsimtares Afërdita Misimi, me pretendimin se ajo po abuzonte fëmijët, madje edhe se po i kërcënonte ata.
Megjithatë ajo, kishte thënë se asnjëherë nuk kishte kërcënuar fëmijët, derisa shton se pavarësisht se Këshilli i Prindërve e kundërshton atë, do të vazhdojë të shkojë në shkollë.
Por, sërish sot në shkollë janë para njësite të policisë, të cilët e kanë arrestuar mësuesen, me dyshimin se ajo kishte kërcënuar me vrasje nënën e një nxënësi, shkruan Indeksonline.
Edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e mësueses për Indeksonline.
“Rreth orës 11:00, policia është njoftuar për një rast ,,Kanosje”. E dyshuara e rastit është një femër. Policia ka intervistuar të dyshuarën, ajo ende është stacion policor. Ende nuk është marrë vendimi se a do të vazhdohet me procedurë të rregullt apo do të shkojë në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Bajram Krasniqi, zyrtar për media në Policinë e Kosovës.
Kjo arsimtare kishte ardhur nga shkolla “Pjetër Bogdani”, para dy vjetësh dhe ajo ishte suspenduar në fund të gushtit të vitit 2018. Por, ajo është rikthyer në shtator të këtij viti me vendim të gjykatës.
Ndryshe, nxënësit për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre, kishin organizuar edhe nënshkrimin e një peticioni për shkarkimin e saj./Indeksonline/
