75 Mall Live Search
14:43 / E Hënë, 15 Qershor 2026 / KV

Arrestohet në Belgjikë shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm

Një shtetas shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar në Belgjikë në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, falë shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit dhe Interpol Brukselit, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi Gerd Gjinarari, 52 vjeç.

Autoritetet belge e kanë kapur Gjinararin duke poseduar dokumente italiane të dyshuara si të falsifikuara.

Policia bën të ditur se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të vitit 2014, si dhe Gjykata e Apelit Korçë, me vendim të vitit 2019, kanë njohur vendimin penal të autoriteteve italiane, me të cilin ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Ai është dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë, Interpol Tirana dhe Interpol Brukseli po vijojnë bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.