Arrestohet në Frankfurt biznesmeni i naftës Ardian Xhillari
Ardian Xhillari, biznesmeni i shpallur në kërkim për skandalin me naftën virxhin, është ndaluar ditën e sotme në Frankfurt të Gjermanisë. Policia e shtetit shqiptare konfirmon se ndalimi i tij është bërë me qëllim ekstradimi në Shqipëri.
52 vjeçari, banues në Tiranë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më datë 7 janar 2016, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur caktimin e masës se sigurisë “Arrest ne burg” për veprën penale të “Kontrabandë me mallra që paguajne akcize.
Prokuroria e Tiranës kërkoi sot 15 vite burg për biznesmenin e Tea Construction and Petrol, mbi të cilin rëndojnë akuzat për fshehje të ardhurash, mospagim taksash, si dhe pastrim parash.
Nga hetimet doli se biznesmeni i kishte shkaktuar shtetit një dëm prej 2 milionë eurosh. Për çështjen akuzohet edhe ish-nëndrejtoresha e doganave Lula Njebza, e cila sipas Prokurorisë ka shpërdoruar detyrën dhe për këtë duhet t’i hiqet liria për 5 vite.
Sipas prokurorisë biznesmeni kishte marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virgin” në pronësi të tij, nga depot e Mëzezit, në Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh.
Por, 4.4 milionë litra naftë u shpërndanë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë.