Arrestohet në Fushë Kosovë një person për lajmërim të rrejshëm – Rasti i raportuar si grabitje doli i sajuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në lidhje me një rast të lajmërimit të rrejshëm, i cili fillimisht ishte raportuar si grabitje, transmeton IndeksOnline.
Ngjarja ishte raportuar më 9 prill 2025 në Fushë Kosovë, ku një qytetar kishte pretenduar se ishte viktimë e një grabitjeje. Menjëherë pas raportimit, njësitë hetimore kanë ndërmarrë veprime intensive për të zbardhur rrethanat e rastit.
Pas zhvillimit të hetimeve në koordinim me Prokurorinë, është konstatuar se grabitja e pretenduar nuk kishte ndodhur dhe se rasti ishte i sajuar nga vetë ankuesi.
Sot, personi në fjalë është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa ndaj tij është inicuar procedurë penale për veprën “Lajmërim i rrejshëm”, sipas legjislacionit penal në fuqi.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbardhjen e çdo rasti dhe ruajtjen e rendit e sigurisë publike, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe me profesionalizëm të lartë./IndeksOnline/