75 Mall Live Search
16:26 / E Martë, 15 Prill 2025 / k.v

Arrestohet në Mitrovicë një person i dyshuar për një sërë veprash penale të rënda

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar sot në Mitrovicë një person të dyshuar për disa vepra penale të rënda që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë publike.

I dyshuari M.A. dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprimtari që përfshin veprat penale:

“Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”

“Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”

“Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”

“Sulmi ndaj personit zyrtar”

“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”

“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Pas arrestimit, me qëllim sigurimi të provave, është kryer edhe një kontroll në vendbanimin e të dyshuarit. Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale si në vijim:

751 gram substancë e dyshuar narkotike

292 gram shpuzore me substancë narkotike

207 gram substanca narkotike në tabak metali

Sasi të vogla të tjera të narkotikëve

Një pushkë ajrore

Një peshore e vogël për matjen e sasisë së narkotikëve

12 aparate për prodhim të kriptovalutave (Riga)

Një telefon celular Samsung Galaxy S22 Ultra

Lidhur me pajisjet për kriptovaluta, Dogana e Kosovës dhe njësitë policore përkatëse do të ndërmarrin veprimet e mëtejshme.

Prokurori i rastit do t’i propozojë gjykatës brenda afateve ligjore masën e sigurisë për praninë e të pandehurit në procedurë penale.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës theksojnë përkushtimin në luftimin e krimit të organizuar dhe ruajtjen e rendit kushtetues në vend./IndeksOnline/