Arrestohet në Shqipëri dhe ekstradohet në Kosovë i dyshuari për kultivim kanabisi, në Pejë
Policia e Kosovës ka njoftuar për zhvillime të reja lidhur me rastin e hapur më 27 shtator 2024 në fshatin Sferkë të Pejës, ku ishte raportuar për kultivim të bimëve narkotike, konkretisht hashashit, shkurës së kokainës ose bimës së kanabisit.
Sipas raportit shtesë, autoritetet shqiptare kanë arrestuar një shtetas të Shqipërisë, i dyshuar për përfshirje në rastin e kultivimit të substancave narkotike në territorin e Kosovës. Pas arrestimit, është realizuar ekstradimi i tij në Republikën e Kosovës, ku më pas është dorëzuar në organet e hetuesisë.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, deri në përfundim të procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës dhe autoritetet shqiptare vlerësojnë bashkëpunimin e ndërsjellë si të rëndësishëm për luftimin e krimit ndërkufitar dhe kultivimit të substancave narkotike.
Rikujtojmë se dje u ekstradua edhe një i dyshuar për kultivim kanabisi në Panorc të Malishevës./IndeksOnline/

