Arrestohet në Suedi djali që dyshohet për vrasjen e prindërve në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se është arrestuar A.H, i dyshuar për vrasjen e prindërve të tij në lagjen ‘Ortakoll’ në Prizren.
Arrestimi i tij është bërë në Suedi nga autoritetet suedeze, duke u bazuar në urdhër-arrestin ndërkombëtarë të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, raporton Indeksonline.
Tutje nga Prokuroria është theksuar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, dhe do të paraqesë kërkesë për ekstradim.
Institucionet e drejtësisë arritën që t’i bien në gjurmë djalit të vogël të familjes Hadri, i cili kërkohej për vrasjen e prindërve të tij, Durim e Suada Hadri.
Në hetimet e këtij rasti shumë të ndjeshëm janë përfshirë edhe autoritetet suedeze.
Vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, ishte bërë lajm në mediat e këtij shteti.
“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, kishte thënë zëdhënësja Nadia Jaber.
Poashtu zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Linn Duvhammar, kishte deklaruar se Qeveria suedeze është në dijeni të ngjarjes./Indeksonline/