75 Mall Live Search
12:19 / E Enjte, 09 Prill 2026 / S Z

Arrestohet një i dyshuar për vjedhje në Prizren, pranoi se ishte i përfshirë në së paku 5 raste

Pas një pune operative-hetimore në terren dhe grumbullimit të dëshmive, hetuesit policorë nga Sektori i hetimeve i stacionit policor në Prizren kanë arritur të identifikonin të dyshuarin M.G., i cili dyshohet se është i përfshirë në disa vepra penale, si: “Vjedhje” dhe “Vjedhje e rëndë”.

Gjatë ndalimit të tij nga hetuesit policorë, në trupin e të dyshuarit, është gjetur një substancë e dyshuar narkotike e llojit “kokainë”.

Lidhur me rastin, në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që ndërlidhen me rastet në fjalë.

I dyshuari, gjatë intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, ka pranuar se ka kryer disa vjedhje në markete dhe vetura. Ndaj tij, me vendim të prokurorit kujdestar, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.