Arrestohet një person në Zveçan, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

Një person me inicialet L. M. është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, si dhe për veprime të tjera të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është bërë pas hetimeve disa mujore, ndërsa personi është ndaluar në komunën e Zveçanit, ku me autorizim të prokurorit janë zhvilluar edhe bastisje në shtëpinë e tij.
Gjatë bastisjes, hetuesit kanë gjetur prova materiale që ndërlidhen me veprimtarinë e dyshuar kriminale të L. M.
Ndaj tij rëndojnë dyshimet për disa vepra penale, përfshirë: Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm si dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.