14:38 / E Martë, 28 Janar 2020 / indeksADMonline

Arrestohet një person për vrasje të pasluftës

Prokuroria Themelore e Pejës dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë kanë njoftuar se më 28 janar 2020, rreth orës 10:00, në Komunën e Klinës, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është arrestuar nga hetuesit rajonalë në mbështetje të Njësitit për Reagim të Shpejtë një person i dyshuar për një rast të vrasjes në vitin 1999 (pas luftës), nga Neni  30, al.1, të ish-Ligjit Penal të Kosovës.

“I dyshuari pas arrestimit është intervistuar nga hetuesit rajonalë dhe ai me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar 48 orë. Sektori Rajonal i Hetimeve i Policisë së Kosovës në Pejë për të dyshuarin ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Pejës, kurse Prokurori i Shtetit për të dyshuarin ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Pejës, Departamentin për Krime të Rënda”, thuhet në njoftimin për media.

Ky rast në Prokurorinë Themelore të Pejës ka qenë në rastet e shenjëstruara të vrasjeve të pasluftës të ndodhura në kompetencën territoriale të këtij institucioni./Indeksonline/