Arrestohet një polic, në Ferizaj, për ryshfetmarrje
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përkatësisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se ia kishte kryer veprën penale: “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
IPK-ja kishte pranuar dy ditë më herët një informacion lidhur me aktivitetin e dyshimtë për këtë zyrtar policor të Stacionit policor në Shtime (Drejtoria Rajonale e Ferizajt).
Hetuesit e IPK-së kanë siguruar edhe urdhëresën nga Prokuroria Themelore e Ferizajt për realizimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit.
Si rezultat i veprimeve hetimore, IPK-ja ka arrestuar sot në orët e pasdites në Shtime zyrtarin policor të dyshuar për veprën penale: “Marrje ryshfeti”dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”dhe me vendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit 48 orë.
Dyshimet e hetuesve të IPK-së deri në këtë fazë të hetimeve janë se zyrtari policor është i dyshuar për mosekzekutimin e urdhëresave të ndryshme të organeve të drejtësisë, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast me dyshimin për përfshirjen edhe të një zyrtari tjetër policor në këtë rast.