Arrestohet një shtetas serb, i sekuestrohen 2,800 pako me gjithsej 87,000 copë të substancës psikotrope DIAZEPAM

Dogana e Kosovës, përkatësisht Njësitë Antikontrabandë, gjatë një kontrolli të rregullt në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, kanë ndaluar sot një automjet transportues të dyshimtë, i cili lëvizte në drejtim të veriut të vendit.
Pas kontrollit të detajuar, në automjet janë gjetur 2,800 pako me gjithsej 87,000 copë të substancës psikotrope DIAZEPAM, e njohur ndryshe me emrin tregtar “Apaurin”.
Duke pasur parasysh se kjo substancë klasifikohet si substancë psikotrope e kontrolluar sipas Ligjit nr. 02/L-128 për Narkotikët, Substancat Psikotrope dhe Prekursorët, zyrtarët doganorë kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e parapara me ligj.
Për rastin është njoftuar Sektori i Hetimeve në kuadër të Doganës së Kosovës, i cili, në koordinim dhe nën udhëheqjen e Prokurorit Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka aktivizuar edhe Inspektoratin Farmaceutik për të marrë në dorëzim substancat dhe për të vazhduar me hetimet e mëtejshme.
Personi përgjegjës për mallin e konfiskuar është ndaluar me urdhër të prokurorit kompetent dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, në pritje të veprimeve të mëtejshme procedurale./Indeksonline/